AlbanianSport.com 21.04.2016 13:50
ASNN – Lojërat Olimpike mund të jenë festivali më i madh sportiv në planet, por ato nuk kanë mundur t’u shpëtojnë përfshirjeve në çështja lokale, sidomos nga ana e politikës. Kështu po ndodh edhe në Itali, ku një nga kandidatet kryesore për zgjedhjet vendore të muajit të ardhshëm në kryeqytetin e vendit, Romë, është shprehur qartazi kundër kandidaturës së tij si mikpritës i Olimpiadës së pas 8 viteve.
Kandidatja Virxhinia Raxhi e Lëvizjes opozitare “5 Yje” thotë se Roma është krejtësisht “në gjunjë”, për shkak të borxheve të shumta dhe problemeve me transportin, prandaj edhe koha për të vendosur kandidaturën për Lojërat Olimpike është “shumë e largët”. Raxhi thotë se “mbase do të ishte më mirë për t’u përqendruar tek gjërat e përditshme dhe, kur qyteti të jetë gati, tek Olimpiada”.
Kandidati i qendrës së majtë, Roberto Xhaketi dhe ajo e qendrës së majtë, Xhorxhia Meloni, e mbështetin kandidaturën olimpike të kryeqytetit italian. Edhe Kryeministri i Italisë, Mateo Renci, është një përkrahës i flaktë i kandidaturës, por ai e pranoi në fillim të kësaj jave se, nëse zgjedhjet vendore i fiton një kandidat që është deklaruar kundër Lojërave, “ne nuk do të jemi në gjendje ta mirëpresim më Olimpiadën”.
Zgjedhjet e pushtetit vendor në Itali janë caktuar për më 5 qershor 2016. Parisi, Los Anxhelosi dhe Budapesti i Hungarisë kanë vendosur gjithashtu kandidaturën e tyre. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) do përzgjedhë qytetin organizator të Lojërave të 2024-s në shtator të vitit të ardhshëm.