AlbanianSport.com 11/02/2018 11:35
ASNN – Olimpiada Dimërore “Pjongçeng 2018” e cila po vjen ekskluzivisht në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, ka dhënë të shtunën medaljet e arta në 5 disiplina. Suedezja Sharlotë Kalla fitoi të parën medalje të artë të Lojërave Olimpike “Pjongçeng 2018”, duke triumfua në garën e krosit të skiatlonit për femra. Ky sukses i Kallasë i mohoi norvegjezes Marit Bjërgen mundësinë për të marrë të 3-tën medalje të artë radhazi në këtë disiplinë, çka do të kishte qenë një rekord historik. Por skiatorja norvegjeze prapëseprapë e shkroi emrin e saj si sportistja me më shumë medalje të fituara në historinë e Olimpiadave Dimërore, pasi e argjendta e fituar të shtunën ishte e 11-ta për të. podiumin e plotësoi finlandezja Krista Parmakoski.
Lim Hjo-Xhun fitoi medaljen e parë të artë për vendin organizator, Korenë e Jugut, pasi triumfoi në garën e pistës së shkurtër në disiplinën e patinazhit të shpejtësisë. Ai ia shpërbleu plotësisht mbështetjen 12,000 të pranishmëve në Arenën e Akullt “Gangneung”, duke triumfuar në garën e 1,500 metrave. Në një finale dramatike, 21-vjeçari vendas mposhti sfidën e rekordmenit botëror të garës, holandezin Sjinkie Knegt, ndërsa podiumin e plotësoi Semen Elistratovi, rusi që garon si sportist i pavarur dhe nën siglën “OAR”, ap thënë ndryshe “Sportistët Olimpikë nga Rusian”.
Karlijn Ahtere’ekte bëri garën e jetës së saj, duke siguruar kurorën olimpike dhe duke e udhëhequr Holandën në një triumf të plotë në disiplinë e 3,000 metrave të patinazhit të shpejtësisë. 28-vjeçarja e siguroi medaljen duke regjistruar kohën 3 minuta, 59 sekonda e 21 të qindtat. Bashkëatdhetarja e saj, Ireen Wust, kampione olimpike në 2006-ën dhe në 2014-ën, ishte 8 të qindtat e sekondës, ndërsa holandezja tjetër, Antoinette de Jong, e mori medaljen e bronztë me kohën 4:00.02.
Laura Dahlmajer i siguroi Gjermanisë të parën medalje të artë të këtyre Lojërave Olimpike, duke marrë një fitore në sprintin e biatlonit për femra. Vendin e dytë e mori norvegjezja Marte Olsbu, ndërsa Veronika Vitkova e Republikës Çeke u rendit e 3-ta. Kjo e së shtunës ishte medalja e parë olimpike e 24-vjeçares Dahlmajer dhe ajo iu fal kryesisht aftësive të saj thuajse të përsosura në qitje. Gjermanja fitoi bindshëm, me një epërsi prej 24 sekondash kundrejt Olsbusë, e cila, nga ana e saj, arriti me vështirësi ta mposhtte Vitkovën në duelin për medaljen e argjendtë.
Andreas Uellinger e shtangu kampionin e dyfishtë olimpik në fuqi, Kamil Stokun, duke fituar medaljen e artë në garën e kërcimit nga trampolina në disiplinën e kodrës normale, garë kjo që u kushtëzua shumë nga moti. Polaku Stok u rendit vetëm i 4-ti, pasi i riu gjerman triumfoi ndaj norvegjezit Johan Andre Forfangut, i cili la prapa bashkëatdhetarin e tij, Robert Johanson. Gara, e cila u zhvillua në temperatura deri në -11 gradë Celcius, u zgjat deri pas mesnate, për shkak të tekave të erës.