AlbanianSport.com 08.07.2015 12:35
ASNN – Laçi udhëton drejt Bakut pa mesfushorin kosovar, Argjent Mustafa. Ekipi bardhezi nuk ka arritur të pajisë me vizë lojtarin për ndeshjen e kthimit kundër Interit të Bakusë. Shkak për mospraninë e mesfushorit në avionin që u nis drejt Stambollit është bërë mungesa e vizës hyrëse për në Azerbajxhan, vend që nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Për këtë vendim, autoritetet e vendit nga Kaukazi, kanë njoftuar edhe UEFA-n e klubin kurbinas. Mungesa e Mustafës mund të peshojë shumë në fatin e ndeshjes pasi ai është një nga elementët kryesorë të skuadrës së Armando Cungut, i cili nuk ka në dispozicion as malazezin Cetkoviç. Ndeshja e parë e luajtur në datën 2 korrik, u mbyll në barazim 1-1.
Dhe, për të siguruar kualifikimin, skuadrës kurbinase i nevojitet një fitore ose barazimi me më shumë se dy gola. Duhet theksuar se ky është një veprim me standarde të dyfishta nga ana e azerëve, të cilët, vetëm para 2-3 javësh, nuk i krijuan asnjë problem delegacionit kosovar që mori pjesë, për herë të parë në arenën ndërkombëtare, në Lojërat e Para Olimpike Evropiane.