AlbanianSport.com 14.04.2016 10:45
ASNN – Borusia e Dortmundit është sonte mysafire në “Enfilld” për t’u përballur me Liverpulin, duke synuar të përmbysë atë barazim 1-1 të arritur në fushën e vet para një jave. Kjo sfidë, që është më e spikatura e ndeshjeve të kthimit të çerekfinaleve të Ligës së Evropës, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 21:05.
Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, luan sonte ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve dhe padyshim spikat dueli i “Enfilldit” midis Liverpulit dhe Borusias së Dortmundit. Ky çift, që ishte padyshim edhe kapriçioja më e madhe e shortit të çerekfinaleve, sepse vuri përballë trajnerit aktual të anglezëve ish-skuadrën e tij gjermane, ka mbyllur në barazim 1-1 ndeshjen e para një jave, të luajtur në Dortmund.
Gjatë 7 viteve si trajner i saj, Jurgen Klopi e ka udhëhequr Borusian e Dortmundit drejt dy titujve “kampion” në Bundesligën gjermane, si dhe drejt një finaleje të Ligës së Kampioneve, të humbur me Bajernin e Mynihut, por sonte ka misionin e vështirë për ta thyer ish-ekipin e tij. Pavarsisht barazimit 1-1 në fushën e vet, Borusia e Dortmundit nuk njeh humbje në këto 18 ndeshje që ka luajtur gjatë 2016-ës.
Kjo e bën të vështirë detyrën e Klopit, që, sidoqoftë, mund të marrë zemër nga fakti se Liverpuli nuk njeh humbje në 15 takime përballë ekipeve gjermane në Ligën e Evropës. Në takimet e tjera të mbrëmjes, Braga pret në fushën e vet Shahtjorin e Donjeckut, që e ka fituar 2-1 takimin e parë, Atletiko e Bilbaos viziton Seviljen duke synuar përmbysjen e asaj humbjeje me të njëjtat shifra në shtëpi.
Ndërsa Vijareali ka udhëtuar drejt Pragës për t’u ndeshur me Spartën vendase duke synuar të ruajë fitoren 2-1 të arritur para një jave në shtëpi.