Gjergj Vyshka 17.09.2016 12:05
Profesori i Asociuar, Dr. Artan Shytaj, që është sot drejtori i Institutit të Kërkimit Shkencor pranë Universitetit të Sporteve në Tiranë, ka konfirmuar asnjë nga këto institucione nuk është pyetur për Ligjin e Sporti, projektligji i të cilit është paraqitur tashmë nga Qeveria në Parlament. Ka ardhur ky reagim, sepse në relacionin e Qeverisë për projektligjin janë përmendur si Instituti i Kërkimit Shkencor, ashtu dhe Universiteti.
“Konfirmoj që drafti i Ligjit për Sportin nuk ka ardhur dhe nuk është protokolluar zyrtarisht as në Institutin e Kërkimit Shkencor, as në Universitetin e Sporteve, ndërsa do të kalonte në diskutim nëpër të gjitha Fakultetet, senat e më pas do të merrte një vendim apo një sugjerim të pjekur, – ka sqaruar ai. – Individë që mund të jenë thirrur nuk përfaqësojnë mendimin zyrtar të Institutit të Kërkimit Shkencor dhe Universitetit të Sporteve.”
“Që do të thotë se askush nga ata nuk është pyetur”, – ka përfunduar Shytaj me të cilin “Sport Ekspres” ka lënë dhe një diskutim më të gjatë përsa i përket asaj që është paraqitur si ndryshim dhe që do të miratohet shumë shpejt në Parlament.