AlbanianSport.com 15.11.2016 14:25
ASNN – Ndryshimet në ligjin për sportin u diskutuan në Komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Në seancën dëgjimore të mbajtur të martën ishin ftuar përfaqësues të disa federatave sportive dhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Kreu i FSHF-së, Armand Duka, foli për krijimi i Gjykatës së Arbitrazhit. Ai tha se duhen përcaktuar kompetencat e saj që të shmangen problemet.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit preku edhe një tjetër pikë të rëndësishme të ligjit, përfitimet nga të ardhurat mbi lotaritë sportive. Armand Duka tha se shuma që është përcaktuar, 0.4 % e tyre, të shkojë për përmirësimin e sportit. Duka tërhoqi vëmendjen se kjo shifër është e ulët dhe nga ana tjetër duhet të qartësohet se si do të shpërndahet.
Të pranishmit e tjerë kërkuan që të ketë një vlerësim më të saktë për medalistët. Në lidhje me parashikimin që është bërë në projektligj për kalimin 0.4% të fitimeve nga lotaritë sportive, për përmirësimin e infrastrukturës, Presidenti Duka tha: “Parashikohet në projektligj, që një pjesë e fitimeve nga ana e lotarive sportive, rreth 0.4 % e tyre të shkojë për përmirësimin e infrastrukturës.”
“Kam një vërejtje, pasi e kemi diskutuar me kolegët e tjerë dhe shifra është shumë e vogël, gati e papërfillshme për nevojat që ka sporti në Shqipëri, – ka vijuar ai. – Ne si Federatë Futbolli, nuk e kemi marrë asnjëherë këtë bonus dhe nuk e dimë nëse është marrë dhe as ku ka shkuar ai. Përveçse duhet të jetë më e madhe, duhet të përcaktohet edhe mënyra se si është shpërndarë ajo.”