Gjergj Vyshka 10.02.2017 12:05
Gjithnjë është thënë që Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka funksionuar pa bërë ndryshime në statut, të cilat duhet të çojnë më pas në regjistrimin e këtij organizmi sportiv në gjykatë. Megjithëse statuti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar më 22 maj 2013 ka ardhur i firmosur nga juristët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar në Lozanë, për më tepër zyra juridike, pas së cilës ka ardhur dhe firmosja nga ministrja Nikolla.
E megjithatë në ligjin e ri të sportit, përveç ndryshimit të emërtimit nga Komiteti Olimpik Shqiptar në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, është kërkuar që brenda 60 ditësh me qëllim rritjen e autonomisë dhe demokracisë së brendshme të organizatës sportive, si dhe reduktimin e afateve kohore, të cilat shpeshherë kanë sjellë ngërçe në marrëdhëniet me këtë institucion.
Madje në nenet 13 dhe 14 të Ligjit të Sportit parashikohet se Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar mund të financohet me fonde të dhëna nga Buxheti i Shtetit në formë grandi, të parashikuara në buxhetin e shtetit, si dhe burime të tjera të ligjshme. Janë përcaktuar anëtarët e KOKSH, si dhe programet që organizon dhe mbështet Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
E në fund dhe vendimet do të bëhen publike vetëm për anëtarët e tij si një formë e ushtrimit demokratik të kompetencave të veta. Por a do të jetë demokratike sikur këto vendime të mos pasqyrohen në media?
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv
Gjykata e Arbitrazhit Sportiv, quajtur deri më tani KAS, jo vetëm që nuk do të jetë një organ juridik brenda Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, por do të riorganizohet dhe do të funksionojë si një organ i pavarur, me kompetenca të fuqizuara, si një faktor për sigurimin e stabilitetit të marrëdhënieve midis organizatave sportive.
E në nenin 23 të Ligjit të Sportit kjo gjykatë përcaktohet si shkalla e parë sportive për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve sportive, por duke qenë krejtësisht e pavarur nga palë të tjera.