Gjergj Vyshka 20.09.2016 12:30
Në nenin 11 nëse deri më sot është njohur si Komiteti Olimpik Shqiptar tashmë është cilësuar Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Për mua nuk qëndron, – thotë Shytaj, -sepse së pari jemi dy shtete me të njëjtën kombësi e që flasim një gjuhë, ne dhe Kosova, e në këtë moment nuk është kombëtar i joni. Pra duhet të ishte Komiteti Olimpik i Shqipërisë, sikurse është Komiteti Olimpik i Kosovës, sepse me kombëtar brenda vendi s’mund të qëndrojë”.
Ndërkohë, në nenin 19, pika 1, është thënë e shkruar: “Klubet sportive organizohen dhe funksionojnë sipas legjislacionit në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare ose për organizatat jo fitimprurës”. “Së pari, – shpjegon Shytaj, – duhet të dimë që klubet kanë pavarësinë e tyre e formën e organizimit e zgjedhin vetë. Duhet të heqim mendësinë klube shtetërore, sepse në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit sot financohen dy klube si Partizani e Studenti.”
“Madje ky i fundit merr një buxhet prej 200 milion lekësh të vjetra sa nuk merr Basketbolli e Volejbolli si Federatë, – kujton ai. – Por kjo është tjetër temë. Tani kërkesa për kthimin e klubeve në shoqëri tregtare është bërë që më 2005-ën. Mirëpo këtu është dhe roli i biznesit dhe në këtë rrënim që ka ardhur shumësportëshi nuk afrohet njeri. Dhe t’i shpërndash e t’i nxjerrësh disiplinat e veçanta në klube me shoqëri tregtare është t’i prishësh vetë. Ndoshta duhet të ishte parë ndryshe.”