AlbanianSport.com 02.03.2017 22:05
ASNN – Ligji për Sportin vazhdon të ngjallë polemika. Përpara se ta çojë për miratim, Ministria e Arsimit dhe Sportit vendosi të bëjë një bashkëbisedim me gazetarët sportivë, për të diskutuar edhe njëherë për disa nga pikat kryesore të tij. Diskutim pati për çështjen e KAS-it, Këshillit të Arbitrazhit Sportiv.
Ky organizëm anashkalohet vazhdimisht nga sportistët dhe federatat, të cilët çështjet e tyre i zgjidhin në Lozanë. Sipas diskutantëve, kjo gjë nuk duhet të ndodhë, pasi KAS-i shqiptar është një organizëm vendimmarrës dhe pa i çuar çështjet aty nuk ka pse të shkojnë në Lozanë, duke bërë shpenzime të mëdha.
Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli, e ka mbrojtur projektligjin për sportin, duke e quajtur si një ndihmë të madhe për sportin dhe sportistët. Pyetjeve, sugjerimeve dhe mendimeve të gazetarëve u është përgjigjur Sekretari i Përgjithshëm i MAS-it, Plarent Ndreca.
Ai midis të tjerash tha se ky ligj do të miratohet pasi të jetë diskutuar dhe miratuar nga të gjitha palët. Sipas tij, në këtë projektligj janë bërë përmirësime të ndjeshme të neneve që u përkasin shpërblimeve të sportistëve që fitojnë medalje në veprimtaritë ndërkombëtare.
Një prej çështjeve që u diskutua në këtë takim ishte ajo që ka të bëjë me administrimin e Qendrave Olimpike, si ish-Kompleksi “Dinamo” apo qendra e re olimpike që po ndërtohet në Korçë. Me vendim të Këshillit të Ministrave, këto qendra administrohen nga bashkitë, diçka që ka rezultuar e pasukssesshme.
Në diskutimet e kësaj pike, propozimi ishte që administrimi i tyre të kalojë te qeveria qendrore për një sërë arsyesh, një prej të cilave ka të bëjë me aspektin financiar. Tjetër pikë që u diskutua në takimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve ishte edhe statuti i klubeve të futbollit.
Sipas projektligjit të ri, bashkitë do të kenë 6 muaj kohë për tu dhënë statut të ri klubeve që kanë nën administrimin e tyre që nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në të njëjtën kohë, me anë të këtij drafti, synohet tu jepet më shumë pavarësi federatave sportive, duke u lënë shumë gjëra në dorë të statuteve të vetë institucioneve.