Gjergj Vyshka 25.02.2017 19:35
Ministria e Arsimit dhe Sportit, për më tepër titullarja e saj Lindita Nikolla, nuk është mjaftuar vetëm me shpërndarjen e draftit të ligjit të ri të sportit, së bashku me relacionin, për Federatat Sportive, por kërkon mendime dhe më gjerë. Nëse Federatat Sportive, sikundër ka bërë basketbolli dhe futbolli, ia kanë dërguar këtë ligj dhe klubeve e shoqatave anëtare të tyre, pas së cilës ka ardhur dhe një mendim më i pjekur për një ligj që mendohet të mos preket me dorë, Ministria e Arsimit dhe Sportit e ka shtrirë diskutimin e tij dhe me gazetarët sportivë.
Madje me Federatat Sportive dhe Komitetin Olimpik Kombëtar, gjithnjë për ligjin e ri të sportit, e ka pasur një tryezë të rrumbullakët ditën e hënë. Kurse tanimë, të paktën dhe sipas njoftimit që ka ardhur nga Drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, diskutimi do të jetë dhe me gazetarët sportivë. Madje drafti i ligjit, së bashku me relacionin, u është shpërndarë të gjithë aktorëve të gazetarisë sportive, sepse më 2 mars, në ora 10:30, në mjediset e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit do të bëhet një takim.
Atje ku priten të vijnë mendime dhe sugjerime edhe nga media për këtë projektligj të ri për sportin. Ndodh pak dhe shumë rrallë që të ketë tryeza e të tilla për një projektligj për sportin, edhe pse në shumicën e rasteve, edhe nëpërmjet intervistave, ka ardhur dhe kritika për ato që nuk shkojnë në ligjin e sportit tashmë i bërë nga e para. Përfundimisht Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndryshuar “marsh”, ndërsa për ligjin e ri të sportit kërkon dhe një mendim ndryshe nga mediat sportive të shkruara dhe ato vizive.