AlbanianSport.com 17/12/2018 20:20
ASNN – 10 klubet e Kategorisë Superiores hodhën firmat për krijimin e Ligës Profesioniste, një organizëm që kishte prej kohësh që përpiqej të hidhte shtat në futbollin shqiptar por kishte dështuar të merrte miratimin e të gjitha klubeve. Hapi i parë i krijimit të Ligës nisi me figurën përfaqësuese, që është presidenti. Klubet e Superiores ranë dakord që president i Ligës të jetë Edvin Libohova, zëvendësi i kreut aktual të FSHF-së, Armand Duka.
Edhe pse ai ka qenë pjesë e federatës, në Komitetin Ekzekutiv, për klubet Libohova u zgjodh si njeri i paaanshëm. Nuk është vetëm kjo, por edhe se pikërisht Libohova ishte njeriu që këmbënguli më shumë gjatë muajve të fundit për krijimin e Ligës Profesioniste. Duke qenë në konflikt interesi me detyrën aktuale, Libohova pritet të heqë dorë si anëtar i KE-së në FSHF, por kjo gjë pritet të marrë zgjidhje pas 6 muajsh, kur të mblidhet për diskutim Komiteti Ekzekutiv, si dhe vetë Liga Profesioniste.
Ndërkohë, presidenti i FSHF-së Armand Duka, komentoi për mediat këtë nismë të rëndësishme profesioniste për futbollin kombëtar dhe menaxhimin e tij në nivel klubesh.
“Tani Liga duhet të regjistrohet sipas rregullave dhe procedurave juridike dhe do të fillojë aktivitetin e saj, – u shpreh Duka për mediat sportive, – për të marrë në dorë administrimin, organizimin dhe miradministrimin e veprimtarisë së Kategorisë Superiore.”
“Në konceptin tim, ajo çka është kryesorja, duke qenë me interes të një grupi më të ngushtë se federata e Futbollit, do i shohë më mirë, do t’i menaxhojnë më mirë, do të kujdes më mirë ndoshta për të rritur imazhin e këtij produkti të përbashkët, për ta mbrojtur më shumë dhe për t’i diskutuar dhe zgjidhur problemet e tyre në tavolinë dhe jo jashtë saj”, – theksoi kreu i FSHF-së. Më tej Duka komentoi përfitimet që do të kenë klubet nga e drejta televizive, fitime që rriten me krijimin e Ligës Profesioniste.
“Të gjitha të drejtat e administrimit të veprimtarisë së Kategorisë Superiore, – sqaroi në vijim numri një i organizmit që qeveris futbollin në vend, – do t’i ketë Liga. Të drejtat e emrit, të drejtat e marketingut, të drejtat televizive etj. Komisionet Juridike dhe Komisionet e Gjyqtarëve janë një dhe nuk mund të ketë komisione paralele. Por, sidoqoftë, Federata do i japë akses Ligës që të kontrollojë 100% ato çka kanë lidhje dhe interesa të garës tyre.”