AlbanianSport.com 18/02/2020 23:15
ASNN – Luhen takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes, fitojnë vendaset. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, ka nisur të martën fazën me eliminim të drejtpërdrejtë, teksa janë luajtur takimet e para të dy çifteve të para të turit të 16-shes.
Në përballjen e parë, të luajtur në kryeqytetin e Spanjës, Madrid, Atletikoja vendase ka shënuar shumë shpejt, brenda 5 minutash, përballë kampiones në fuqi të Liverpulit. Dhe skuadra madrilene ia ka dalë ta ruajë deri në fund këtë epërsi minimale, ndonëse duhet theksuar se do ta ketë të vështirë në ndeshjen e kthimit, që do të luhet në Angli.
Ndërkaq, ka qenë më prodhimtare në gola ndeshja e parë e çiftit tjetër të turit të 16-shes, që është zhvilluar në Gjermani. Borusia e Dortmundit ia ka dalë të mposhtë Paris Sen Zhërmenin, me rezultatin 2-1. Pjesa e parë e kësaj ndeshjeje është mbyllur me rrjeta të paprekura.
Ndërsa në pjesën e dytë, gjithçka do të vendoset falë një dygolëshi të Ha’alandit. Ai ka realizuar fillimisht në minutën e 69-të, duke e kaluar Borusian në epërsi. Ndonëse braziliani Nejmari ka barazuar shifrat për parizienët në minutën e 75-të, është Ha’landi që gjen golin e tij të dytë në këtë takim vetëm dy minuta më pas.