AlbanianSport.com 27.05.2015 07:55
ASNN – Veprimtaria e dytë e klubeve të kontinentit, Liga e Evropës, luan sonte aktin e saj në final dhe përballë njëra-tjetrës do të jenë dy skuadra me histori dhe bilance të kundërta. Kur të zbresin në fushën e blertë të Stadiumit Kombëtar të Varshavës në Poloni, Sevilja dhe Dnjepri i Dnjepër-petrovskit, do të synojnë trofeun e madh, duke u nisur nga pozita krejt të ndryshme.
Kjo sepse, për spanjollët, ky do të jetë trofeu i katërt evropian, ndërsa për vetë klubin ukrainas ky do të jetë i pari trofe kontinental. Jo vetëm kaq, por Dnjepri ka shansin t’i dhurojë Ukrainës trofeun e 4-t evropian në histori, ndërsa për spanjollët bilanci i trofeve në veprimtaritë evropiane është shumëfish më i bollshëm. Sevilja vjen në këtë finale si favorite përballë ukrainasve, që kanë qenë surpriza e këtij sezoni, duke synuar të bëhet e para skuadra evropiane që e fiton për herë të 4-t trofeun e dytë kontinental të klubeve.
Sa i përket përballjeve të mëparshme, kjo e sotmja është e para midis Seviljes dhe Dnjeprit, ndërsa përballjet midis skuadrave spanjolle dhe atyre ukrainase flasin bindshëm për iberikët, të cilët kanë fituar 24 nga 46 takimet e deritanishme. 13 përballje të tjera janë mbyllur në barazim, ndërsa ukrainasit kanë fituar vetëm 9 ndeshje. Finalja e sotme luhet duke nisur nga ora 20:45.