AlbanianSport.com 08.11.2014 22:05
Mësuesja e edukimit fizik në shkollën e mesme “Gjergji Kastrioti” në Lezhë, Diana Dervishi, ka një përvojë të gjatë në këtë fushë. Ajo është e njohur në sportin e atletikës, sidomos në disiplinën e hedhjes së gjyles tek Besëlidhja, ndërsa e ka përfaqësuar këtë skuadër në kategorinë e parë të të rriturve. Dhe tani, së bashku me Marie Fierzën dhe Emigiana Lishin, janë lënë krejtësisht në harresë. Të tria këto atlete kanë qenë edhe përfaqësuese të ekipit tonë kombëtar të të rriturve. Dervishi në hedhjen e gjyles, kurse Fierza dhe Lishi në 100 e 200 metra e 800 e 1500 metra.
Sot ato janë mësuese të edukimit fizik, ndërsa punojnë me një pasion shumë të madh. Nxënësit e tyre janë të dalluar në aktivitetet që zhvillohen mes shkollave në Lezhë. Diana Dervishi për Gazeta e Sportit do të deklaronte se: “Jam e lumtur që punoj me këto fëmijë, ndërsa ata në çdo kohë shfaqin talentin e tyre të sportistit. Ne jemi të shqetësuara për kushtet e papërshtatshme në të cilat zhvillohet sporti i atletikës në Lezhë. Tani sporti është bërë komercial, hasim shumë vështirësi në punën tonë, pasi mungojnë dhe pistat e vrapimit.”
“I jepet prioritet futbollit dhe është lënë në harresë atletika, – ka vijuar ajo. – Klubi i Besëlidhjes duhet t’i japi hapësirë dhe atletikës në qytetin tonë. Para tre vjetësh ne kemi pasur përfaqësuese tonën Emigiana Lishin, e cila ka dalë kampione kombëtare në 800 dhe 1500 metra, si dhe ishte anëtare e ekipit kombëtar. Këto atlete duhen stimuluar dhe duhet të krijohen kushtet për të zhvilluar sportin e atletikës në vend. Kujtojmë që sipas një sondazhi vajzat lezhjane kanë kërcyeshmërinë më të lartë në vend. Dhe jo vetëm kaq, por kanë dhe forcë goditëse.”
“Dhe kjo është gjëja kryesore për të zhvilluar atletikën, volejbollin, basketbollin. Sigurisht që ne duam t’i japim hapësirë atletikës në Lezhë dhe të japim kontributin tonë si mësuese të edukimit fizik në këtë disiplinë. Dhe duam të mendojmë që fëmijët tanë janë të zot për t’u sportistë të mirë në klubet ku ata do të shkojnë. U bëjmë thirrje drejtuesve të sportit tonë që të kujtohen për atletikën në Lezhë dhe ta zhvillojnë atë duke krijuar kushte për fëmijët tanë që të bëjnë sport”, – ka përfunduar mësuesja e edukimit fizik në shkollën e mesme “Gjergji Kastrioti” në Lezhë, Diana Dervishi.