AlbanianSport.com 30.10.2015 07:55
ASNN – Kreu i organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA-s, Mishel Platini, ka thyer heshtjen dhe niset në kundërsulm ndaj akuzave për korrupsion që rrezikojnë t’i heqin nga duart ëndrrën për t’u bërë president i FIFA-s. Kandidatura e francezit është për momentin zyrtare, por nëse pezullimi 3-mujor i Komitetit të Etikës do të zgjatet atëherë emri i tij do të hiqet nga gara.
Në një intervistë për gazetën zviceriane “Le Roi”, Platini ka bërë të ditur se megjithëse nuk mund të bëjë fushatë ai vazhdon të jetë njeriu i duhur për të marrë kreun e FIFA-s. “Nuk dua të tregohem egoist por vazhdoj të mendoj se unë jam njeriu i duhur për të drejtuar FIFA-n, – ka thënë ai. – Akuzat ndaj meje nuk përputhen me faktet. Për shkak të pezullimit, gara ime nuk zhvillohet në kushte të barabarta, por unë nuk tërhiqem.”
Presidenti aktual i UEFA-s ka hedhur poshtë akuzat e Sep Blaterit se ishte ai që planifikoi skandalin. Po ashtu, Platini ka sqaruar sipas tij 2 milionë dollarët për të cilat akuzohet se ka marrë në mënyrë të parregullt. “Ajo shifër është një pagesë për punën që kam bërë si këshilltar i Blaterit, – ka thënë francezi. – Vetë ai më ofroi një kontratë me një pagë të lartë që unë e pranova.”
“Pranoj që ishte një kontratë verbale, por pagesa është e deklaruar te autoritetet e taksave”, – ka shtuar zyrtari i futbollit kontinental, i cili aktualisht është i pezulluar dhe është zëvendësuar në detyrën e tij nga spanjolli Angel Maria Vijar, i cili gjithashtu është përfshirë në skandalin e FIFA-s. Ndryshe nga Blateri, Mishel Platini nuk beson te teoritë e konspiracionit, që flasin se paratë e marra prej tij ishin një kurth i ngritur nga zviceriani.