AlbanianSport.com 16/11/2018 17:30
ASNN – Të shtunën në darkë Shqipëria dhe Skocia do të luajnë duelin e dytë midis tyre në Ligën C, grupi i parë, në kuadër të Ligës së Kombeve, një ndeshje me mjaft rëndësi për të dyja ekipet në objektivat e tyre në këtë veprimtari. Dueli që luhet në Stadiumin “Loro Boriçi” është sidomos përcaktues për ekipin tonë, të cilit i nevojitet një fitore me shumë gola. Pritet të ketë më shumë tifozë se në Elbasan, megjithëse muajt e fundit ka pasur një rënie të ndjeshme të pranisë së tifozëve.
Dhe kjo jo vetëm me daljen në skenë të përfaqësueses së Kosovës, por edhe për shkak të çmimeve të kripura të biletave. Shpesh tifozeria jonë shfaq akte antisportive dhe rrallë ndodh të marrin ndonjë nismë që lë gjurmë pozitive. E ndërsa tanët kanë probleme serioze, “leksionet” vijnë nga Skocia, tifozët e së cilës të veshur me fustanellën e tyre tradicionale, një lloj fundi me kuadrate, kanë ditur të japin një shembull mjaft pozitiv menjëherë sapo kanë mbërritur në Tiranë.
Ata kanë grumbulluar 5 mijë stërlina si bamirësi për fëmijët në nevojë, një gjest mjaft kuptimplotë. Me këtë veprim dhe sjelljen e tyre, të paktën deri tani, duhet të marrin shembull edhe tifozeritë e klubeve tona që shkojnë në stadium për të sharë dhe fyer kundërshtarin, për të shkulur stolat e impianteve dhe hedhur parulla politike.