AlbanianSport.com 17/05/2020 17:55
ASNN – Ai është padyshim emri më i përfolur për momentin midis futbollistëve shqiptarë që militojnë nëpër kampionatet më të mira të kontinentit evropian. Dhe, sikundër ndodh shpesh, “mullinjtë” e merkatos kanë nisur ta bluajnë edhe më tepër emrin e tij, por edhe hipotezat për destinacionin e tij të ardhshëm.
Dhe tanimë mësohet se një tjetër klub anglez është vënë pas Marash Kumbullës. Mançester Junajtid, Totenhemi, Evertoni dhe Çellsi janë lakuar në të shkuarën në lidhje me talentin e Kombëtares kuqeze, ndërkohë që tanimë është e përditshmja britanike, “Mirror”, e cila shkruan se në garë është futur edhe Arsenali.
Në artikullin e të përditshmes britanike shkruhet: “Arsenali në garën për transferimin e Marash Kumbulla, i krahasuar me Kielinin e ri”. Kumbulla ndërkohë kërkohet edhe nga Inter, Lacio e Napoli në Itali, në Serinë A, kurse emri më i lakuar në Gjermani është klubi i Lajpcigut.
Mbrojtësi shtatlartë ka spikatur në Itali këtë sezon dhe Verona është gati ta shesë, por për çmimin e duhur. Pretendimet e tyre kanë ardhur në rritje. Tashmë synohet të përfitohen 30 milion euro nga shitja e Kumbullës. I riu është produkt i skuadrës së moshave të Verona, që tashmë është kthyer në një thesar që pritet të mbushë arkat e klubit në momentin e transferimit.