AlbanianSport.com 10/01/2019 21:25
ASNN – Kthesë e papritur, drejtori i Napolit takon menaxherin e Hysajt: Ançeloti e do shqiptarin. Napoli dhe Hysaj po përpiqen të gjejnë gjuhën e përbashkët, por për shqiptarin duket se po bien këmbanat e alarmit. Edhe pse ka dashamirësi mes palëve, marrëveshja duket e vështirë të arrihet për një ndarje “paqësore”. Shkak është klauzola e lirimit prej 50 milionë Eurosh. Çelsi është klubi që ka insistuar më shumë të marrë Hysajn, por nuk mbeten pas edhe skuadra të tjera si Lacio apo Atletiko e Madridit.
Në fakt, klubi anglez është i gatshëm të paguajë deri në 10 milionë Euro, shifër që as e lëviz nga vendi Napolin. Për të sqaruar sadopak situatën, menaxheri i Hysajt, Mario Xhiufredi, ka pasur një takim me drejtorin sportiv të Napolit, Kristiano Xhuntoli. Ky i fundit, i ka siguruar Xhufredit se Ançeloti ka simpati për mbrojtësin shqiptar dhe se ka besim te ai, gjë e cila në fakt nuk po duket. Është pikërisht zgjedhja e Ançelotit, ajo që po e shtyn Hysajn gjithmonë e më shumë larg Napolit.
Mësohet se trajneri i njohur italian, përveçse po e lë vazhdimisht në stol, nuk e aktivizon as në pjesën e dytë dhe Hysaj po e sheh veten tek Napoli si lojtar i dorës së dytë. Kjo situatë po e nxit atë vazhdimisht të kërkojë një alternativë të re. E ndërsa Ançeloti vetë nuk ka folur konkretisht, duket se Xhuntoli ka dashur të bindë mbrojtësin shqiptar dhe menaxherin e tij që trajneri nuk e ka përjashtuar mbrojtësin nga planet e tij, përkundrazi, e cilëson element të rëndësishëm për objektivat e skuadrës në këtë sezon.