AlbanianSport.com 18/12/2018 14:45
ASNN – Menaxheri sulmon kritikët e Hysajt: “Të gjitha fjalët do t’i kapërdini shumë shpejt, po shpifni për një superlojtar”. Elseid Hysaj nuk u largua në verë drejt Çellsit, pasi për të vendosi veton presidenti i Napolit Di Laurentiis, i cili arriti një marrëveshje me ish-teknikun e tij Mauricio Sarri që të mos i merrte më lojtarë të tjerë Napolit përveç Zhorzhinjos. Por kjo marrëveshje duket se po e vret mbrojtësin shkodran i cili ka nisur të shohë më shumë stolin e rezervave, pasi trajneri Karlo Ançeloti i beson më shumë mbrojtësit tjetër të krahut, Malkuitit.
Ndërkohë, për Hysajn kanë nisur kritikat nga të gjitha anët, aq sa mediat italiane shkruajnë se shqiptari po e sheh veten gjithmonë e më larg Napolit. Por menaxheri i Hysajt, Mario Xhufredi, ka befasuar me qëndrimin e tij, duke u thënë kritikëve të shkodranit të bëjnë kujdes se të gjitha fjalët e tyre di t’i përtypin më vonë. “Ai në karrierën e tij kishte vetëm Sarrin, – sqaron Xhufredi, – për këtë arsye po vuan. Ka vetëm një mënyrë për të menduar futbollin. Duhet t’i jepet kohë të asimilojë kërkesat e reja që i janë bërë nga trajneri i ri.”
“Ai ka qenë një lojtar i vlefshëm më parë dhe është i tillë edhe tani, – vijoi menaxheri i mbrojtësit të përfaqësueses së Shqipërisë. – Nëse do të qëndrojë te Napoli, do të bëjë që shumë njerëz të kapërdijnë fjalët që kanë thënë për të. Nuk ka asnjë të re për rinovimin, do të flasim përsëri pas merkatos së janarit. Këtë verë mund të shkonte te Çelsi, por nuk u bë asgjë. Sarri e dëshironte në ekip, por Hysaj ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh.”
“De Laurentis do të kishte pranuar edhe 40-45 milionë euro, por bisedimet nuk filluan kurrë. Për të lënë të lirë Sarrin, Napoli vendosi një klauzolë që i ndalonte Çelsit të blinte lojtarë të tjerë përveç Zhorzhinjos.” Qëndrime të tilla tregojnë qartë se Hysaj po kalon një ngërç të dyfishtë. Së pari ai është peng në merkato i Napolit dhe e ka të pamundur në kushtet aktuale që të rinovojë me napolitanët, ndërsa shqetësimi i dytë është trajneri Karlo Ançeloti, skemat e të cilit nuk po i përvetëson dhe pasqyron siç duhet mbrojtësi shqiptar.