AlbanianSport.com 04/12/2018 11:55
ASNN – Sulmuesi i ri i Kombëtares kuqezi, Xhakomo Vrioni, ka gjetur golin e tij të parë në Serie B italiane me skuadrën e Venecias, pikërisht në duelin kundër Foxhias. Djaloshi shqiptar kishte prej 7 takimesh që kërkonte golin, i cili erdhi më në fund dhe ai mund të marrë një shtysë për të tjera paraqitje të mira dhe për më shumë minutazh në këmbët e tij.
Djaloshi kuqezi, Xhakomo Vrioni, u shfaq agresiv që në minutat e para, madje ndërtoi dhe raste shënimi, por momenti i tij do të vinte në fund të pjesës së parë, kur, pasi mori një pasim nga krahu i djathtë i sulmit, goditi në ecje e sipër topin dhe ia doli të mposhtë portierin kundërshtar të Foxhias, duke realizuar një gol me vlerë morale për momentin e tij në Serinë B.
Ndeshja u mbyll në barazim 1-1 dhe goli i tij i siguroi Venecias pikën, duke e ngjitur në kuotën e e 16 pikëve, në vendin e 13-të të renditjes, falë 4 fitoreve të arritura, 4 barazimeve të marra dhe 5 humbje të pësuara në 13 ndeshjet e para të këtij sezoni të nivelit të dytë të Kampionatit Italian të Futbollit. Duhet theksuar se Seria B këtë sezon është mjaft e luftuar me Palermon kryesuese vetëm në kuotën e 26 pikëve.
Vrioni është pjesë e klubit të Sampdorias, e cila ka kartonin e tij, por lojtari është huazuar tek Venecia në Serinë B, në mënyrë që të luajë më shumë dhe të krijojë eksperiencë si lojtar që merr më shumë ngarkesë loje. Ky gol do ta çlirojë psikologjikisht futbollistin, i cili është bërë pjesë e Kombëtares nga trajneri Kristian Panuçi, por atij ende nuk i ka ardhur momenti i debutimit.