AlbanianSport.com 08/01/2019 22:35
ASNN – Një prej lojtarëve që ka lënë gjurmë në pjesën e parë të sezonit është sulmuesi i krahut Myrto Uzuni. Ai pati një paraqitje mjaft të mirë me Lokomotivën e Zagrebit, ku ka regjistruar gola dhe ka dhënë pasime goli, që kanë marrë vlerësime të larta në median sportive kroate, të cilat e kanë futur shpesh herë në formacionin më të mirë të javës.
“Besoj se Lokomotiva deri më tani ka bërë mirë, veç se duhet të kishim marrë rezultate më të mirë në 3 ndeshjet e fundit, – u shpreh Uzuni për mediat kroate. – Aventura ime ka qenë mjaft e mirë, megjithëse unë pres akoma edhe shumë nga vetja ime. Që në fillim isha përgatitur për një kampionat të vështirë dhe isha gati për ta përballuar, duke qenë se stërvitesha fort dhe djersa nuk më shkoi dëm.”
“Mund të them se jam i kënaqur me veten time, – vijoi beratasi në rrëfimin e tij, – por jo shumë duke qenë se kam mundësi për të bërë akoma. Në pjesën e mbetur të sezonit, dua që të ndihmoj skuadrën me gola, të shënoj edhe 8 gola të tjerë dhe të renditemi në vendin e dytë.” Në fund Uzuni jep një mendim për të ardhmen e tij, por heziton të përgjigjet konkretisht, duke ia lënë në dorë menaxherit.
Për të ka më tepër rëndësi paraqitja që ka bërë tek skuadra kroate, pjesë e së cilës është. “Për momentin jam i përqendruar vetëm te Lokomotiva dhe sa i përket kësaj pjese, mendon menaxheri im, Franci Bode, dhe klubi i Lokomotivës”, -përfundoi sulmuesi i krahut i Kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni, duke folur për mediat kroate.