AlbanianSport.com 02/02/2019 11:05
ASNN – Myrto Uzuni është duke kaluar një formë të shkëlqyer në kampionatin kroat, me gola dhe pasime për gol, duke qenë lideri kryesor i ekipit të Lokomotivës së Zagrebit. Dje ishte momenti i duhur për ta nisur si duhet vitin 2019. Skuadrat kroate u kthyen nga fazat përgatitore dhe nisën kampionatin. Uzuni shkëlqeu dhe një herë tjetër, këtë radhë përballë Zapresiçit.
Ishte pikërisht sulmuesi kuqezi i cili shënoi një gol të bukur, por mbi të gjitha me peshë në fatet e fitores për Lokomotivën e Zagrebit. Ish-sulmuesi i Laçit në kampionatin shqiptar gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 81-të, në një moment kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit pa gola. Ky gol i dha qetësinë e duhur Lokomotivës që e menaxhoi mirë epërsinë.
Dhe në fund ia doli të shënojë edhe golin e dytë e ta fitonte ndeshjen 2-0. Por e gjitha falë Myrto Uzunit, i cili rezultoi vendimtar me golin e tij. Ky ishte goli i 5-të në kampionat për sulmuesin e krahut të Lokomotivës. Por Uzuni ka shënuar gola të rëndësishëm edhe në Kupën e Kroacisë. Ajo që është e veçantë për të ka të bëjë me aktivizimin si titullar i padiskutuar, gola dhe pasime goli, si dhe gola vendimtarë në ndeshjet vendimtare.
Kjo paraqitje e mirë e tij është një sinjal i fortë dhe për trajnerin Kristian Panuçi, i cili pritet në fillim të marsit të bëjë të ditur listën e lojtarëve që do të grumbullohen, e ku Uzunin me siguri që e pret një vend në formacionin titullar.