AlbanianSport.com 08/02/2019 17:30
ASNN – Në kampionatin kroat luajnë një numër i konsiderueshëm futbollistësh shqiptarë, të cilët kanë një kontribut të vyer në skuadrat ku angazhohen dhe paraqitjet e tyre kanë qenë mjaft cilësore. Në radhët e Hajdukut të Splitit, njërës prej skuadrave më të njohura të Kroacisë, luajnë 3 futbollistë shqiptarë, konkretisht Ismajli, Tahiraj dhe Sahiti.
Përballë tyre këtë javë vihen dy futbollistë të tjerë shqiptarë që luajnë për skuadrën e Lokomotivës së Zagrebit. Ata janë Kastrati dhe Uzuni. Pikërisht ky i fundit, Myrto Uzuni, po kalon një edicion fantastik me skuadrën kroate dhe është shndërruar në një lider tek ekipi i tij, duke spikatur me lojën e bukur e shpërthyese në krahë, por edhe me golat dhe pasimet e tij për gol.
Uzuni ka dhe një mesazh për rivalin e radhës, Hajdukun, si dhe shqiptarët e tjerë kuqezinj që luajnë për këtë ekip. Bëhet fjalë për duelin mes Lokomotivës së Zagrebit dhe Hajdukut të Splitit që luhet të dielën dhe është një ndeshje domethënëse për ekipin e Uzunit në kampionat, sidomos për objektivat që ka skuadra këtë sezon. “Ne do të presim një kundërshtar të fortë”, – theksoi Uzuni për mediat sportive kroate.
“Hajduku është rritur në krahasim me pjesën e parë të sezonit, – ka vijuar ish-futbollisti i Laçit. – Jemi stërvitur mirë dhe jemi përgatitur për këtë ndeshje. Duhet të jemi të përqendruar, në mënyrë që të përfitojmë nga kundërshtarët tanë. Gjithashtu duhet të kërkojmë shanset tona. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por në fund do të shkojmë te fitorja.”