AlbanianSport.com 20/09/2021 16:55
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni ka qenë protagonist absolut në Hungari me Ferencvaroshin gjatë fundjavës së fundit, duke arritur edhe një rekord të rrallë. Ai ka shënuar plot 6 gola në ndeshjen e Kupës së Hungarisë ndaj Hatvanit, që përfundoi me fitoren e thellë 9-0 të kampiones së famshme.
Uzuni shënoi dy gola që në pjesën e parë, ndërsa në atë të dytën realizoi edhe 4 gola të tjerë, një nga të cilët me 11-metërsh. Futbollisti shqiptari po kalon një formë mjaft të mirë më klubin, teksa paraqitja e të dielës është komentuar gjatë në mediat hungareze.
Për më tepër, me 6 gola të shënuar në një ndeshje me Ferencvaroshin, beratasi ka barazuar edhe rekordin edhe një rekord të veçantë të legjendës hungareze Florian Albert. Fituesi i “Topit të Artë” shënonte 6 gola në një ndeshje zyrtare në vitin 1960 ndaj Debreçenit.
Edhe në kampionat, futbollisti i Kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni ka qenë vazhdimisht protagonist me lojën e tij, duke shënuar rregullisht, për të mos harruar edhe faktin që gjatë fazës eliminatore të Ligës së Kampioneve gjatë verës, ai shënoi 4 gola.