Adriatik Balla 20.06.2015 15:30
Lojtarët e Kombëtares kanë marrë një vëmendje jo të vogël nga klubet elitare evropiane dhe pothuajse gjysma e këtyre futbollistëve ndodhen në merkato me shpresa për të gjetur një skuadër më cilësore për sezonin e ri. Vëmendja është përqendruar, natyrisht, në Serinë A, atje ku lojtarët kuqezi po kërkojnë alternativa të reja dhe po bëhen gati për një edicion të fuqishëm.
Lojtari që ka spikatur më shumë në këtë periudhë është Elseid Hysaj, i cili kërkohet nga shumë klube, ku Napoli është më pranë tij, pasi ka bërë ofertë konkrete dhe ka prej disa ditësh që ka nisur kontaktet me Empolin, klubin që ka kartonin e futbollistit kuqezi. Zëvendëstrajneri i Shqipërisë Paolo Tramexani, ka thënë fjalët më të mira për Elseid Hysajn në intervistën e dhënë për “Radio “Crc” në Itali.
“Hysaj ka dëshmuar edhe këtë vit në Serinë A të gjithë vlerën e tij, – ka deklaruar krahu i djathtë i Xhovani De Biazit. – Tek Empoli është përdorur në vazhdimësi. Edhe me ne në Kombëtare, gjatë tre viteve është rritur shumë, ka luajtur fillimisht në të majtë dhe më pas në të djathtë. Është një lojtar që, në perspektivë mund të jetë i rëndësishëm jo vetëm për ne, por edhe për një klub të madh.”
“Nëse do të shkojë te Napoli nuk ka nevojë për përshtatje, është gati për një piacë si ajo e këtij niveli, – ka theksuar Tramexani. – Në çfarëdo mënyre, Hysaj ka karakter dhe personalitet, nuk do të kishte frikë të luante në San Paolo.” Në fakt, Hysaj luan në nivele të larta dhe Napoli dëshiron një mbrojtës në të djathtë që jep siguri. Hysaj i plotëson të gjitha parametrat dhe Napoli e di që ai është një futbollist që po rritet shumë dhe kërkon ta marrë me një çmim të pranueshëm.
Por Hysaj është në kontratë me Empolin dhe klubi i tij i ka vënë një çmim jo të vogël, që shkon në 8 milionë euro. Kjo është një shifër që nuk e ka stepur Napolin, por bisedimet vijojnë dhe mund të pritet një lëvizje e shpejtë, pasi ofertat vijojnë të rriten dhe numri i klubeve që e kërkojnë gjithashtu. Bisedimet e Napolit me Empolin për Elseid Hysajn janë kështu në orët vendimtare.
Të paktën kështu shprehen mediat sportive italiane. Trajneri i Napolit, Maurizio Sarri, i cili deri pak javë më parë drejtonte Empolin, e ka kërkuar me ngulm Hysajn, i cili ka patur një zhvillim të jashtëzakonshëm sezonin e fundit në Serinë A. Një vit më parë Lacio ishte shumë pranë futbollistit shqiptar, por Empoli preferoi të mos privohej nga shërbimet e tij, për të përfituar më shumë para pas një viti.
Çmimi i shumëfishuar i kartonit të shkodranit mbetet shumë i lartë për arkat e Lacios, që në këtë merkato vere nuk ka bërë asnjë hap para për te tentuar sërish blerjen e tij. Duke parë moshën shumë të re të Hysajt, presidenti i Napolit De Laurentis mund t’i afrohet kërkesës së Empolit, për të investuar te një futbollist që mund të rritet edhe më shumë në futbollin italian.