AlbanianSport.com 14/01/2019 12:00
ASNN – Trajneri i Ingolshtadtit, “i dashuruar” me Mavrajn: Vetëm një lider si ai na shpëton nga rënia. Ingolshtadti ndodhet në vendin e fundit në Bundesligën 2 të Gjermanisë, me vetëm 10 pikë, por në luftën për mbijetesë ai ka shpresë të rezistojë, pasi rivalët në fundin e tabelës nuk janë shumë të distancuar dhe kalendari ia jep mundësinë kësaj skuadre të përmirësojë pozitat e saj. Trajneri Jens Keller është shpresëplotë se skuadra e tij mund t’ia dalë.
Dhe për të përforcuar me argumente optimizmin e tij, përmendi dy afrime në merkaton e kësaj periudhe, duke veçuar sidomos Mërgim Mavrajn, një mbrojtës me përvojë dhe, sipas tij, një lider i lindur. Vetë trajneri i skuadrës gjermane, foli për mediat duke treguar edhe arsyen që e ka shtyrë që të blinte një mbrojtës si Mërgim Mavraj i përfaqësueses së Shqipërisë. Ai nuk e fsheh që ekipi i tij kishte nevojë për cilësi në prapavijë dhe se ardhja e Mavrajt shihet si gjetja e duhur.
Qoftë për përvojën që ka, por edhe për karakterin e liderit, për të cilin ka aq shumë nevojë Ingolshtadti. “Skuadra jonë kishte më parë një mbrojtës shumë të ri të cilit i mungonte stabiliteti dhe vetëbesimi, – u shpreh Keller për mediat gjermane, – prandaj kishim nevojë për një mendësi tjetër dhe pak më shumë përvojë në këtë repart. Mërgim Mavraj dhe Filip Tshauner janë dy djem që kanë shumë eksperiencë dhe japin idetë e tyre.”
“Ata janë liderë pozitivë, gjë të cilën skuadra nuk e kishte dhe mungonte shumë eksperienca në skuadër”, – ka vijuar ai. Më herët, Keller tha se Mavraj do të mbulojë qendërmbrojtjen dhe do të jetë garanci për grupin në këtë repart, ndërsa mediat gjermane shkruajnë se shqiptari mund të marrë në fund të këtij muaji edhe shiritin e kapitenit, një vlerësim që i bën klubi me shpresën se skuadra do ta pranojë dhe Ingolshtadti do të sigurojë rezultatet e duhura për të qëndruar në kategori.