Adriatik Balla 20.09.2015 09:35
E përditshmja e njohur italiane “Gazzetta Dello Sport”, zbulon arsyet që penguan transferimin e Taulant Xhakës te Fiorentina në Serinë A. Futbollisti shqiptar, i cili mbulon disa role në fushë, do të kishte qenë një përforcim ideal për skuadrën vjollcë, por ai mbeti te kampionët e Zvicrës për tekë të drejtuesve më të lartë të klubit të Bazelit. 24-vjeçari gjatë verës thuri elozhe për mentorin e tij, trajnerin aktual të Fiorentinës Paulo Souza, duke marrë një pozicion pro kalimit në elitën e futbollit italian. Mirëpo presidenca e Bazelit, për t’i prishur punë trajnerit portugez më të cilin u nda pa konsensus, nuk e pranoi ofertën e Fiorentinës, edhe pse ajo ishte e kënaqshme.
Mesfushori i kombëtares shqiptare është aktivizuar në të gjitha ndeshjet e kampionatit zviceran në këtë fillim sezoni, duke qenë një nga pikat më të forta të Bazelit, ku luajnë gjithashtu Shkëlzen Gashi, Naser Aliji dhe Albian Ajeti.