AlbanianSport.com 28/02/2022 12:40
ASNN – Një tjetër lojtar kuqezi është përgjigjur në apel! Bëhet fjalë për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, Keidi Bare, i cili të dielën ka realizuar golin e tij të parë në një nga kampionatet më të forta në botë siç është niveli më i lartë i kampionatit spanjoll të futbollit, që njihet si “La Liga”.
Futbollisti shqiptar që aktivizohet në radhët e Espanjolit ka shënuar golin e vetëm dhe të nderit për skuadrën e tij, në humbjen ndaj Vijarealit në fushë të huaj. Ndërsa ekipi i djaloshit shqiptar po mundej me shifrat 4-0, Bare arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Fillimisht topi goditi shtyllën horizontale, por lojtari kuqezi u gjet në zonën kundërshtare në kohën e duhur, duke gjuajtur fort me të djathtën e tij një top që përfundoi në rrjetë. Keidi Bare u vlerësua me notën 7.2 nga faqet e profilizuara sportive në Internet.
Ai ka qenë kështu edhe lojtari me notën më të lartë në këtë sfidë, që edhe pse përfundoi jo mirë për skuadrën e Bares, për këtë të fundit do të mbahet mend si ndeshja kur shënoi golin e parë në radhët e Espanjolit.