Adriatik Balla 10.07.2015 16:40
Portieri i talentuar, Thomas Strakosha, është zyrtarisht portieri i ri i Salernitanës. Në orët e vona të mbrëmjes së të mërkurës u arrit akordi mes futbollistit shqiptar dhe skuadrës së sapongjitur në Serinë B Italiane, dhe tashmë 20-vjeçari mund të nisë zyrtarisht aventurën e tij te re te Salernitana.
Strakosha është transferuar te klubi nga Salerno në formë huazimi nga Lacio. Në orën 23:00 të së mërkurës lojtari është bashkuar me skuadrën e tij të re në hotelin ku është grumbulluar ekipi në prag të fillimit të përgatitjeve për sezonin e ri të Serisë B. 20-vjeçari u shpreh shumë i lumtur për këtë aventurë të re që do të nisë në karrierën e tij teksa theksoi se mezi po pret momentin për të zbritur në fushë.
Strakosha shtoi gjithashtu se i pëlqen shumë edhe qyteti i Salernos. Sezonin e fundit ai ishte portieri i tretë i Lacios ndërkohë që, te Salernitana, sipas të gjitha gjasave, djali ish-portierit të kombëtares kuqezi, Foto Strakoshës, do të jetë zgjedhja e parë e trajnerit Vinçenco Torrente për portën.
Thomas Strakosha është pjesë edhe e kombëtares së 21-vjeçarëve të Shqipërisë. Lacio beson shumë te talenti shqiptar, madje huazimi te Salernitana do të t’i shërbejë Strakoshës si pjesë e rritjes së tij në mënyrë që pas disa vitesh të rikthehet te bardhekaltërit për t’u shndërruar në numrin 1 të portës së romanëve.