AlbanianSport.com 28.12.2016 10:25
ASNN – Taulant Xhaka po shijon aktualisht disa pushime te merituara me familjen e tij në Londër, aty ku endet mes shopingut dhe ndeshjeve të futbollit. Por, në kontrast me vëllain e tij, Granitin, nuk është Premier Liga fokusi i mesfushorit të kombëtares shqiptare.
Aktualisht në kontratë me klubin ku u formua dhe ku është kthyer në pikë referimi, Taulant Xhaka ka disa oferta joshëse nga Bundesliga gjermane, që mund ta largojnë nga Bazeli. Për shërbimet e 25-vjeçarit përfliten emra të rëndësishëm të futbollit evropian.
Emra të tillë si Borusia e Dortmundit, Shalke 04-ra e Borusia e Mënshengladbahut në Gjermani. Negociatave që nuk kanë marrë petkun zyrtar, u shtohet edhe Valencia në Spanjë. Taulant Xhaka është prej 15 vjetësh te Bazeli, duke kaluar nga skuadrat e akademisë deri në skuadrën e parë në Superligën zvicerane.
Ai ka qenë vetëm një sezon si huazim te Gras’hopersi. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2021, por nëse dikush e çon ofertën në 15 milionë euro dhe lojtari është dakord, transferimi potencial mund të bëhet që në janar. Kështu arkat e kampionëve të Zvicrës do te shtoheshin me një bonus të majmë.
Dhe Taulant Xhaka mund të bënte një lëvizje që do ta ngrinte karrierën e tij në një tjetër nivel.