AlbanianSport.com 14/12/2018 17:25
ASNN – Një vlonjat i bën presion trajnerit Kristian Panuçi që ta marrë në Kombëtare, Tahiraj mesazh nga Sllovenia. Ka shumë të rinj shqiptarë që angazhohen në klube të ndryshme evropiane, përfshi dhe vendet e rajonit, të cilët synojnë të lënë gjurmë në këtë sport dhe kanë rritur pretendimet e tyre. Një prej futbollistëve të rinj që synon të kapë nivelin e ekipit kombëtar është Françesko Tahiraj, talenti vlonjat i cili luan me Aluminij në kampionatin elitar të Sllovenisë.
Lojtari 22-vjeçar ka dalë nga akademia e Juventusit, por është transferuar në Slloveni tek skuadra e sipërpërmendur, ku ka bërë ndeshje mjaft të mira dhe renditet si golashënuesi i ditë në kampionatin slloven. “Jam i lumtur me veten dhe ecurinë time në Slloveni, – shprehet futbollisti me origjinë nga Vlora, – renditem i dyti në listën e golashënuesve dhe normalisht që kjo më kënaq.” Tahiraj nuk ka ndërmend të qëndrojë në Slloveni, teksa konfirmon se ka marrë oferta të shumta dhe shpreson që të kalojë në një klub më të fortë e në një kampionat elitar në Europë.
“Këtu në Slloveni nuk është kampionat i dobët, – vijon më tej sulmuesi shqiptar, – madje të jep mundësi të ecësh përpara. Por duhen bërë ndeshje të mira që të ecësh. Kam shumë oferta nga jashtë Sllovenisë. Nuk ka emra konkrete, por më duan në Poloni, Zvicër e Kroaci.”
Në fund, Tahiraj i jel një sinjal të qartë trajnerit të Kombëtares, Kristian Panuçi, duke besuar se ai do t’ia japë një shans në ekipin përfaqësues. Duke përmendur minutazhin dhe golat, vlonjati i kërkon drejtpërdrejt Panuçit që ta ftojë në përfaqësuese. “E kam ëndërr fëmijërie që të luaj me Kombëtaren dhe mendjen e kam atje. Duke parë se asnjë nuk ka statistika si unë, me 1500 minuta, nëntë gola e 4 asiste, pse jo të mos jem edhe unë?! Do ishte një ëndërr e bërë realitet për mua dhe në këtë moment po kaloj një moment mjaft të mirë”, përfundoi 22-vjeçari vlonjat Françesko Tahiraj.