AlbanianSport.com 13/04/2019 23:00
ASNN – Ka qenë i jashtëzakonshëm Thomas Strakosha, por as kjo nuk ka mjaftuar, sepse Milani e ka mundur Lacion dhe mbetet në valle për një vend në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Kështu, supersfida e javës së 32-të të Serisë A në Itali, u mbyll me Milanin fitues, pasi ngadhënjeu minimalisht me shifrat 1-0 ndaj Lacios në “San Siro”.
Pjesa e parë e një sfide që vendoste shumë për zonën e veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, ka qenë përgjithësisht ishte e qetë, me të dy skuadrat të kujdesshme, por ajo që merrte më shumi iniciativën ishte Lacio. Në të dytën, ishte Milani i trajnerit Xhenaro Gatuzo ai që filloi të fitonte terren, dhe po provonte më shumë drejt portës së Strakoshës.
Shqiptari bllokoi në minutën e 71-të me një dalje të mirë polakun Piatek, që ishte pranë golit. Por, në të 79-tën, nuk mundi të ndalë një penallti të shndërruar në gol nga Kesi, pasi shqiptari tjetër i futur vetëm 4 minuta më parë, Riza Durmishi, shkaktoi 11-metërsh. Milani mori zemër nga goli, dhe provoi sërish, dhe për Lacion u duk e pamundur për të reaguar.
Në minutën e 91-të, Strakosha bëri një tjetër mrekulli, këtë herë përballë Susos, dhe me një reagim instinktiv shmangu golin e dytë. Me këtë fitore, Milani mban vendin e katërt, dhe shkon në kuotën e 55 pikëve, një më shumë se Roma, ndërkohë që humbet terren Lacio, e cila mbetet në vendin e 7-të ne 49 pikë. Sidoqoftë, kjo ndeshje shërbeu për të nxjerrë edhe një herë në pah talentin e gardianit kuqezi të portës së Lacios.