AlbanianSport.com 12/04/2019 19:25
ASNN – Thomas Strakosha është shndërruar në lider tek skuadra e Lacios. E ka krijuar këtë status falë paraqitjeve të tij të nivelit të lartë. E mori vendin e titullarit më 20 shtator të vitit 2016, si pasojë e dëmtimit të veteranit Marketi, dhe që prej asaj dite nuk e ka lëshuar më vendin e titullarit në portën e Lacios, duke qenë lider i vërtetë i ekipit në prapavijë dhe njëherësh portier i pakonkurrueshëm, aq sa rivalët brenda skuadrës as e çojnë nëpër mend që Strakosha mund të ulet ndonjëherë në stol.
Madje në dy sezonet e fundit është një prej portierëve me angazhim më të gjatë në fushë në të gjithë kontinentin evropian. Këtë fundjavë Strakosha do të jetë në Milano, përballë Milanit të madh, skuadrës ndaj të cilës filloi aventurën e tij të titullarit dhe prej asaj dite, edhe pse humbi 2-0, nuk e ka lëshuar më pozitën e tij në portën e Lacios. Mediat italiane kanë bërë një vështrim teknik të paraqitjes së tij, duke e krahasuar me emrat më të mëdhenj të portës në futbollin italian.
Aty ku shpesh Strakosha krahasohet me Donarumën e Milanit. Edhe në këtë ndeshje pritet të jetë titullar dhe do të luajë ndeshjen e 90-të në Serinë A, goxha mirë për një portier që ka vetëm dy vite e pak që nisi të luajë titullar me skuadrën e tij. Mediat sportive italiane shkruajnë se askush, çfarëdo opinionisti e specialist qoftë, nuk e ka vënë në diskutim aftësinë e portierit shqiptar.
Por nëse Lacio e tij do të siguronte pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm, atëherë Thomas Strakosha mund të sigurojë një kontratë të përjetshme në gjirin e Lacios, pasi skuadra këtë edicion varet në masë të madhe nga aftësitë e tij brilante në portë, tashmë edhe me eksperiencën e mjaftueshme për të bërë ndeshje të mëdha. Në këtë analizë të media sportive italiane, theksohet se Lacio pa shqiptarin në portë nuk bën dot. Ai është lideri i vërtetë i grupit dhe garancia në prapavijë.