Adriatik Balla 02.06.2015 17:30
Sulmuesi i Kombëtares tonë kuqezi, Sokol Cikalleshi, mund të transferohet në Portugali te Benfika gjatë merkatos së verës. Paraqitjet e tij në këtë sezon me RNK Split kanë tërhequr vëmendjen e skuadrave të ndryshme evropiane, madje edhe të klubit me shumë trofe të futbollit portugez.
Sipas mediave luzitane, që u referohen raportimeve nga Kroacia, fundjavën e kaluar sulmuesi i Kombëtares shqiptare është vëzhguar nga afër nga emisarë të Benfikës. Sidoqoftë, në drejtim të RNK Splitit ende nuk ka mbërritur një ofertë konkrete.
24-vjeçari ka deklaruar më parë se kampionatin kroat e sheh si trampolinë drejt futbollit elitar evropian, ndërkohë që nuk kanë munguar zërat për interesimin e disa skuadrave të Serisë A, apo dhe të Shtutgartit në Bundesligën gjermane.
Sokol
Cikalleshi ka zhvilluar në total 39 ndeshje me RNK Splitin mes kampionatit dhe Kupës, duke shënuar 13 gola. Që nga viti 2014 është pjesë e përfaqësueses kuqezi, me të cilën ka luajtur në 8 takime, por pa mundur të shënojë. Kartoni i tij aktualisht vlerësohet rreth 2.5 milionë euro