AlbanianSport.com 17/08/2021 17:30
ASNN – Shqiptari i jep Konjasporit fitoren në çeljen e sezonit turk ndaj Sivasporit. Edhe niveli më i lartë të kampionatit turk të futbollit ka nisur sezonin e ri dhe ka spikatur në javën e parë edhe sulmuesi i Kombëtares, Sokol Cikalleshi. Shtatlarti kuqezi ka shënuar golin e fitores për skuadrën e tij, Konjasporin, që e ka nisur kampionatin me një fitore minimale në fushën e Sivasporit. Sulmuesi kuqezi, Sokol Cikalleshi, e ka nisur me gol sezonin e ri të nivelit më të lartë të kampionatit turk të futbollit.
Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar golin e fitores për skuadrën e tij, Konjasporin, që e ka nisur kampionatin me një fitore minimale në fushën e Sivasporit. Cikalleshi e nisi sfidën si titullar dhe në minutën e 88-të përfiton nga një gabim i mbrojtësit të fundit, duke rrëmbyer topin dhe pas një vrapimi të fuqishëm, ku dribloi edhe portierin, e dërgoi atë në rrjetë. Një gol ky që kishte vlerën e 3 pikëve për Konjasporin, për të cilën, në këtë takim, në fushë si titullar ishte edhe mesfushori tjetër shqiptar, Endri Çekiçi, i cili u zëvendësua vetëm në minutat shtesë.
Një gol mjaft i rëndësishëm për Cikalleshin dhe një lajm i mirë edhe për Kombëtaren që shumë shpejt do të nisë përgatitjet për eliminatoret e Botërorit Katar 2022. Cikalleshi ka qenë një nga pikat kyçe të përfaqësueses shqiptare sezonin e fundit dhe duke parë formën aktuale pritet të jetë sërish një nga shtyllat kryesore të sulmit të Shqipërisë. Ndërkohë, sulmuesi i kombëtares shqiptare i ka çuditur tifozët edhe me vendimin e tij për të folur turqisht në intervistën pas ndeshjes. “Këtë herë nuk dua një përkthyes”, ka thënë Cikalleshi.
“Sot do të flas turqisht, vijon më tej ai. – Kishim përballë një kundërshtar të vështirë, pasi Sivaspor është një ekip shumë i fortë. Gjithsesi erdhëm dhe fituam me në gol. Ne dhamë gjithçka në fushë. Jam shumë i lumtur, sepse unë shënova dhe ne fituam. Superliga është një maratonë shumë e gjatë, por kur e fillojmë me një fitore të tillë është shumë bukur. Këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi të gjitha ekipet janë të mira. Sidoqoftë, ne duhet të jemi më mirë se sezonin e kaluar dhe po punojmë për këtë.”
“Do të luftojmë dhe shpresojmë të jemi më mirë dhe ta mbyllim sa më lart në renditje”, – ka përfunduar sulmuesi shqiptar i Konjasporit, Sokoll Cikalleshi.