AlbanianSport.com 04/07/2020 23:55
ASNN – E shtuna ishte një tjetër ditë e mirë për “koloninë” shqiptare të Lokomotivës së Zagrebit në Kroaci, që po e shtyn skuadrën kryeqytetase drejt ëndrrës së madhe kontinentale. Në fakt, Lokomotiva e Zagrebit po shijon një nga sezonet më të mira në historinë e saj duke iu afruar gjithmonë realizimit të ëndrrës së pjesëmarrjes në turet eliminatore të Ligës së Kampioneve.
Skuadra e kryeqytetit kroat ku militojnë 5 futbollistë shqiptarë, korri një tjetër fitore në mbrëmje, duke bërë detyrën në shtëpi dhe duke e mposhtur Interin e Zapreshiçit e vendit të fundit me rezultatin 3-1. Në fakt, lojtarët shqiptarë nuk arritën të shënojnë, por ata ishin sidoqoftë protagonistë. Indrit Tuci dhe Myrto Uzuni dhanë pasin e fundit për golin e parë dhe të tretë të takimit.
Mersinaj, Uzuni dhe Tuci, por edhe futbollisti i përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati, ishin titullarë në këtë ndeshje, ndërsa Çokaj u fut në lojë në minutën e 61-të. Tuci shërbeu për Markoviçin pas një gjysmë ore loje, për atë që ishte goli i vetëm i 45 minutave të para. Edhe pse Zapreshiçi barazoi shifrat në minutën e 52-të, duke kërcënuar të merrte një pikë, Lokomotiva ia doli të gjente golin e dytë në minutën e parafundit të kohës së rregullt, me një 11-metërsh të Toliçit.
Në minutën e 4-t shtesë, Uzuni shërbeu për Jakiçin, i cili vulosi fitoren e kryeqytetasve me shifrat 3-1, për fitoren e 18-të në këto 32 javë kampionat. Me Dinamon e Zagrebit të shkëputur plot 16 pikë nga vendi i dytë, misioni i vetëm i Lokomotivës është sigurimi i pjesëmarrjes në Ligën e Kampioneve. Skuadra e shqiptarëve ka 60 pikë, 4 më tepër sesa Osijeku dhe 6 më tepër sesa Hajduku i Splitit.