AlbanianSport.com 26.02.2016 18:55
ASNN – Kështu, ka një derbi anglez dhe një tjetër spanjoll në këtë fazë të Ligës së Evropës. Shorti i hedhur në Nion të Zvicrës nuk i ka kursyer aspak sfidat e mëdha në turin tjetër të veprimtarisë së dytë për nga rëndësia në futbollin evropian të klubeve. Kështu, rivaliteti historik në Premier Ligën angleze spostohet edhe në këtë turne, pasi përballë do të jenë Liverpuli dhe Mançester Junajtid.
Dy skuadrat janë larg emrit të tyre të madh, por triumfi në Ligën e Evropës bëhet i detyrueshëm si i vetmi i mundshëm në një sezon shumë larg pritshmërive. Derbi tjetër i nxjerrë nga shorti i së premtes është i gjithi spanjoll. Atletiko e Bilbaos do të luajë kundër Valencias në dy sfidat e ardhshme evropiane. Një short i vështirë ishte për Bazelin e Taulant Xhakës.
Skuadra ku mesfushori shqiptar është një nga lojtarët më të rëndësishëm, përballet me fituesen në fuqi të këtij trofeu, Seviljen, me spanjollët që kanë konfirmuar veten ekspertë të kësaj veprimtarie. Më me fat ishte futbollisti tjetër shqiptar që vazhdon aventurën në Ligën e Evropës. Etrit Berisha dhe Lacio e tij gjejnë në rrugën e tyre evropiane Spartën e Pragës.
Favorite skuadra romane, e cila është e vetmja që përfaqëson Italinë në këtë veprimtari.
Një finale e parakohshme është cilësuar edhe jo mes Borusias së Dortmundit dhe Totenhemit, ku dy skuadrat, megjithëse pak më shumë ajo gjermane, renditen mes favoriteve për të fituar trofeun. Në përballjet e tjera në këtë fazë të Ligës së Evropës, Anderlehti i drejtuar nga Besnik Hasi luan kundër Shakhtar Donjeckut.
Vijareali sfidon Bajer Leverkusen, ndërsa Fenerbahçe luan kundër Bragës. Ndeshjet e para do të luhen në 10 mars, ndërsa të kthimit në 17 mars.