AlbanianSport.com 30.05.2015 09:00
ASNN – Shkëlzen Gashi ka spikatur me Bazelin këtë sezon dhe është përfshirë në skuadrën e përzgjedhur të 11-shes më të mirë në Zvicër. Sulmuesi shqiptar i cili me 22 golat e realizuar udhëhoqi Bazelin drejt fitimit të titullit “kampion” është përzgjedhur nga gazeta
prestigjioze zvicerane “Blick” në formacionin më të mirë të sezonit.
Madje Gashi është zgjedhja e parë e gazetës në fjalë pasi është pozicionuar si numri 1 në 11-shen më të mirë të publikuar nga “Blick”. Ky sezon ka qenë me të vërtetë fantastik për 26-vjeçarin shqiptar që me meritë është shpërblyer me një tjetër çmim për paraqitje e tij fantastike.
Gashi i cili ka përfunduar në radarët e disa skuadrave të mëdha të Serisë A dhe Bundesligës gjermane në këtë sezon ka realizuar në total 26 gola në të gjitha veprimtaritë me fanellën e Bazelit, dhe përveç kampionatit ka shanse për të fituar edhe Kupën e Zvicrës me skuadrën që drejtohet nga Paulo Soza.
Përveç Gashit në 11-shen më të mirë të sezonit bëjnë pjesë edhe dy lojtarë të tjerë të Bazelit, portieri Tomas Valik dhe mbrojtësi Marek Suçi. Emra të tjerë që kompletojnë formacionin më të mirë të vitit në Zvicër janë edhe Musa Konate, Gijom Horo’, Milan Vilotiç, Fulvio Sulmoni, Renato Stefen, Kaio, Jakob Jantsher dhe Markus Nejmar.