AlbanianSport.com 03.01.2015 08:25
ASNN – Shkëlzen Gashi ka patur arsye për të festuar mbrëmë, pasi sulmuesi kosovar është shpallur futbollisti më i mirë i Zvicrës për vitin 2014. Futbollisti i Kombëtares shqiptare pati një vit mbresëlëns, si me Gras’hopersin në fillim, ashtu edhe me Bazelin më pas dhe e meritoi plotësisht këtë çmim.
Përveç Gashit, edhe një tjetër kuqezi, Taulant Xhaka, pati arsye për t’u gëzuar. Mesfushori i Bazelit u përfshi në formacionin ideal të vitit 2014 në futbollin zviceran. Gjithsesi, edhe Gashi është pjesë e këtij ekipi ideal. Gashi ishte golashënuesi më i mirë në kampionat, duke shënuar 19 gola për Gras’hopersin.
Po ashtu, ai luajti edhe pesë herë me fanellën e Kombëtares kuqezi. Në garën për çmimin e futbollistit të vitit, ai mposhti Fabian Frein dhe Jasinë Shihauin. Gashi është golashënuesi më i mirë edhe në edicionin aktual. Por ai nuk ishte shqiptari i vetëm që u dallua në mbrëmjen e organizuar nga Federata Zvicerane e Futbollit.
Ai së bashku me Taulant Xhakën u përzgjodhën në “Skuadrën e ëndrrave” të Superligës zvicerane, ndërsa Ezgjan Alioski dhe Mërgim Brahimi ishin në skuadrën e vitit në “Challenge League”, që është kategoria e dytë e Kampionatit Zviceran të Futbollit.