AlbanianSport.com 30.01.2016 11:15
ASNN – Shkëlzen Gashi mund të ndryshojë kampionat dhe kontinent. Sulmuesi shqiptar sipas gazetës zvicerane “Blick” është në bisedime për të lënë Zvicrën për t’u transferuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo në Kinë.
27-vjeçari nuk ishte i pranishëm në sfidën mes Bazelit dhe Austrisë së Vjenës, pasi negociatat kanë qenë në zhvillim e sipër. Oferta që e tërheq më shumë është ajo nga kampionati amerikan.
Shkëlzen Gashi është nën kontratë me Bazelin deri në vitin 2018, por marrëdhëniet e vështira me trajnerin Urs Fisher dhe afrimet e merkatos së verës, e kthejnë të tepërt futbollistin e Kombëtares.
Gashit i duhen më shumë minuta të luajtura para Evropianit, që emri i tij të bëhet pjesë e 23-shes që trajneri Xhovani De Biazi do të marrë në Francë. E njëjta arsye bëri që edhe disa kuqezinj të ndryshonin ekip në mes të sezonit.