AlbanianSport.com 28.07.2015 13:25
ASNN – Një nga lojtarët kuqezi që së fundmi ka bërë bujë në merkato, për faktin e kërkohet nga klube elitare, është sulmuesi Shkëlzen Gashi, aktualisht golashënuesi titullar i skuadrës së Bazelit në Zvicër. Gashi ka bërë një sezon të shkëlqyer dhe fitoi për të dytin vit radhazi “Këpucën e Artë” në kampionatin zviceran, por ai dëshiron një përvojë të re, një aventurë në një kampionat më të fortë dhe interesim për të ka pasur si nga klubet e Serisë A italiane, ashtu dhe nga klubet e Bundesligës gjermane.
Ditët e fundit në garë për sulmuesin tonë kuqezi është futur Shalke 04-ra, një skuadër që është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit dhe ka premisa të luajë në Ligën e Kampioneve. Ajo ofron deri në 8 milionë euro për sulmuesin e Kombëtares kuqezi, por Bazeli që ka kartonin e tij kërkon mbi 10 milionë euro. Klube të tjera presin “tek dera” për sulmuesin, por ende nuk ka zyrtarizim. Lajmin e bëjnë të ditur mediat zvicerane që theksojnë se 26-vjeçari shihet si elementi ideal për të plotësuar boshllëqet në sulmin e skuadrës gjermane.
“Fussballinfos” shkruan se oferta në adresë të zviceranëve është 8 milionë Euro, por Bazeli i ka bërë ballë duke e refuzuar përkohësisht. Palët janë ende larg në qëndrime por gjatë ditëve të ardhshme mund të gjejnë gjuhën e përbashkët për transferimin e golashënuesit shqiptar drejt Bundesligës ku do të bënte një tjetër hap cilësor në karrierën e tij. Gashi ka një kontratë që e lidh me Bazelin deri në vitin 2018 dhe gjatë sezonit të shkuar ai fitoi edhe Këpucën e Artë të kampionatit zviceran si golashënuesi më i mirë me 22 gola në kampionat.