AlbanianSport.com 27.08.2015 16:10
ASNN – Sulmuesi Hamdi Salihi është zyrtarisht kandidati më potencial për t’u bashkuar me Makabi Haifan. Është faqja sportive izraelite, “Sport5.co.il”, që flet për interesimin e klubit hebre.
Paraqitja e shkëlqyer e sulmuesit të Kombëtares me Skënderbeun në eliminatoret e Ligës së Kampioneve, ku shënoi 5 gola në 5 ndeshje, i ka bindur drejtuesit të Makabit të Haifas të vendosë për shkodranin, duke i bërë një ofertë të kënaqshme.
“Hamdi Salihi, i cili luajti me kampionët e Shqipërisë, është shndërruar në opsionin më të preferuar për “ha’jerakim” (hebraisht – jeshilët), për të forcuar sulmin. Ai do të jetë shumë shpejt tek ekipi i tij i ri (Makabi i Haifas)”, – shkruan “Sport5.co.il”.
Ky do të jetë sezoni i tretë i Salihit në Izrael. Sulmuesi i Kombëtares firmosi fillimisht me Hapoelin e Akres, me të cilën luajti pjesën e dytë të sezonit 2013-2014 (6 gola) dhe pjesën e parë të sezonit 2014-2015 (8 gola).
Më pas u transferua te Hapoeli i Haifas (4 gola), për pjesën e dytë të sezonit 2014-2015 dhe me golat e tij e ndihmoi skuadrën të mbijetonte në nivelin më të lartë të futbollit izraelit, në Ligën e parë.