Adriatik Balla 02.06.2015 09:10
Sulmuesi shkodran pritet të firmosë kontratën e re me një nga klubet më të njohura të Izraelit. Lojtarët e përfaqësueses tonë mbyllën me sukses një sezon tepër aktiv, duke qenë në qendër të vëmendjes së mediave evropiane për cilësitë e tyre dhe për nivelin në rritje të futbollit që ata prezantojnë. Tashmë është kohë merkatoje dhe lojtarët po bëjnë llogaritë e tyre. Një pjesë e kanë kontratën “top” dhe vijojnë me ekipet përkatëse, kurse një pjesë janë duke kërkuar skuadër të re, me shpresën e një kampionati më të fortë dhe radhët e një klubi më cilësor.
Ka nga ata që janë veteranë dhe duan kontrata të mira financiare, por edhe skuadra cilësore ku të mund të shpalosin cilësitë e tyre. Një ndër ta është sulmuesi i përfaqësueses tonë, Hamdi Salihi, i cili ka marrë vendim që të luajë edicionin e ardhshëm sërish në kampionatin e Izraelit, por jo me Hapoelin e Haifas, por me një tjetër Hapoel. Këtë herë bëhet fjalë për Hapoelin e Tel-Avivit, i cili pretendon të fitojë shumë edicionin e ardhshëm.
Plot 180 mijë euro neto në sezon. Kaq pritet të përfitojë Hamdi Salihi nga Hapoeli i Tel-Avivit. Buxheti i Hapoelit të Tel-Aviv-it vetëm për pagesat e lojtarëve shkon në 14 milionë euro. Sulmuesi shqiptar është i lirë, për momentin nuk ka menaxher dhe kjo për klubin izraelit është një gjë e mirë, pasi nuk do të ketë shpenzime ekstra. Sipas faqes sportive izraelite, “Sport5.co.il”, marrëveshja Hapoel Tel Aviv-Hamdi Salihi është çështje orësh.
Faqja tjetër izraelite, “Nrg.co.il”, shton se Salihi e meriton shumën, të konsideruar të “arsyeshme”, pasi është një lojtar që shënon të paktën 10-12 gola në sezon. Ky do të jetë sezoni i tretë i Salihit në Izrael. Sulmuesi i Kombëtares firmosi fillimisht me Hapoelin e Akres, me të cilën luajti pjesën e dytë të sezonit 2013-2014 (6 gola) dhe pjesën e parë të sezonit 2014-2015 (8 gola). Më pas, ai u transferua te Hapoeli i Haifas (4 gola), për pjesën e dytë të se zonit 2014-2015.
Me golat e tij, shkodrani e ndihmoi skuadrën të mbijetonte në nivelin më të lartë të futbollit izraelit, që njihet si “Liga Ha’al”. Hamdi Salihi ka veshur fanellën e nëntë klubeve, dy prej tyre në Shqipëri, Vllazninë dhe Tiranën, si dhe shtatë jashtë vendit: Panionosit (Greqi), Riedit dhe Rapidit të Vjenës (57 gola), të dyja këto në Austri. Ai ka luajtur gjithashtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.C. Junajtid, në Kinë, me Xhiangsu Seinti dhe në Izrael, me Hapoelin e Akres dhe Hapoelin e Haifas.