AlbanianSport.com 10/12/2018 20:15
ASNN – Mediat zvicerane kanë befasuar sot pasdite me një lajm në lidhje me Armand Sadikun. Sulmuesi shqiptar, i cili është i dëmtuar prej disa muajsh dhe mungon në fushë, ka marrë vëmendjen e klubit të Luganos, ish-skuadrës së sulmuesit elbasanas vitet më parë. Në mediat zvicerane shkruhet se Sadiku mund të kalojë në Superligën e Zvicrës në formën e huazimit pikërisht në periudhën e dimrit.
Është në këtë linjë edhe vetë skuadra spanjolle, Levante, e cila do të përpiqet të huazojë futbollistin në Zvicër që ai të ketë mundësinë të luajë rregullisht dhe ta rikthejë në verë atë në radhët e klubit për sezonin e ardhshëm. Gjithmonë sipas mediave zvicerane, Lugano po kërkon lojtarë që e njohin mjedisin e futbollit helvet, që kanë përvojë dhe Sadiku është prej atyre që i ka dhënë provat.
Sepse pikërisht tek kjo skuadër ai mori famën e mirë që më pas e kërkuan shumë skuadra të mëdha në Europë. Pikërisht me Luganon, Sadiku ka luajtur 68 ndeshje dhe ka realizuar 38 gola. Do të realizohet apo jo huazimi i Sadikut në Zvicër, kjo mbetet të shihet në merkaton e janarit, por gjasat janë që lojtari të lëvizë seriozisht drejt Luganos, pasi në Zvicër do të mund të luante titullar.