AlbanianSport.com 11.08.2015 22:05
ASNN – Odise Roshi debutoi në kampionatin kroat pikërisht në barazimin pa gola mes Rijekës dhe Dinamos së Zagrebit në takimin e luajtur të shtunën. Ai zëvendësoi në minutën e 58-të pikërisht shqiptarin tjetër, Bekim Balajn, duke i dhënë freski sulmit.
“Jam i motivuar dhe i etur për të luajtur, – tha mesfushori shqiptar për faqen zyrtare në Internet të ekipit të Rijekës. – Ndaj Dinamos nuk pata shumë hapësirë, por besoj se bëra një paraqitje të mirë.”
“Më vjen keq vetëm që nuk fituam, pasi i kishim të gjitha mundësitë”, – shtoi Odise Roshi, i cili u transferua këtë verë te Rijeka, pas një përvojë disavjeçare në futbollin gjerman.
Roshi firmosi një kontratë deri në qershor të 2018 duke iu bashkuar futbollistit tjetër të Kombëtares, shkodranit, Bekim Balaj, ndërsa një tjetër futbollist kuqezi, Sokol Çikalleshi, u largua nga kjo skuadër gjatë merkatos së verës.