AlbanianSport.com 17/02/2019 14:05
ASNN – Shpërthimi, Shkëlzen Gashi ishte harruar, kthehet me dy gola në miqësoren e Kolorado Rapids. Një prej futbollistëve që ishte pjesë e Kombëtares në Eliminatoret dhe në Kampionatin Evropian të vitit 2016 në Francë, Shkëlzen Gashi, më në fund bëhet i gjallë, ku ka shënuar dy gola në miqësoren ndaj Las Vegasit. Në fakt nuk ishte një ndeshje e plotë, më tepër ishte një test kontrolli që zgjati 40 minuta, por mjaftueshëm që sulmuesi me origjinë nga Kosova të gjejë dy herë rrugën e rrjetës.
Dygolëshi vjen në momentin e duhur, pasi lojtari po kalon një moment të dobët dhe ka qenë në qendër të kritikave, duke mos pasur shumë mundësi të tregojë vlerat e tij dhe i ka munguar gjëja kryesore, goli. Edhe pse në një ndeshje miqësore, dygolëshi vjen në kohën e duhur dhe shërben si çlirim psikologjik për “goleadorin” shqiptar. Stërvitja e tij po ecën mirë dhe Kolorado shpreson të marrë ngarkesën e duhur për të përballuar sezonin që do të nisë së shpejti.
Një dëmtim që kaloi kohë më parë pati ndikimin e vet negative, por kryesorja është mungesa e golit për një kohë të gjatë. Ndërkohë, Kombëtarja mbetet një opsion i largët tashmë, pasi ai nuk grumbullohet në përfaqësuese prej mbylljes së Evropianit të Francës. Në kuadër të Ligës së Kombeve nuk ishte fare në planet e trajnerit Kristian Panuçi dhe nuk besohet se do të jetë as në Eliminatoret e Euro 2020-ës. Kujtojmë që Shkëlzen Gashi është pjesë e Kolorado Rapids që prej vitit 2016.