AlbanianSport.com 21/02/2019 22:00
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares Rei Manaj, u dëmtua pak ditë më parë nga Sulej Muntari, në një seancë stërvitore të zakonshme të skuadrës së Albasetes. Ishte një ndërhyrje e ashpër e afrikanit, e cila detyroi Manajn të dilte i mbajtur në krahë nga stafi mjekësor i Albasetes, teksa lushnjari ia shkrehu të qarit, duke lënë të kuptuar se ishte një dëmtim i rëndë.
Dëmtim i cili vinte pas një tjetër dëmtimi të rëndë që sulmuesi kuqezi pësoi në një ndeshje të Ligës së dytë spanjolle përballë Granadës, ku një nga lojtarët kundërshtarë e goditi me shkelm në kokë dhe e la pa ndjenja në fushë, duke bërë që lushnjari të përfundonte me urgjencë në spital. Dëmtimi i dytë u duk më tepër muskular, por mediat spanjolle kanë fokusuar në fotot e tyre sulmuesin shqiptar të stërvitet i fashuar në seancën e djeshme të Albasetes, duke paralajmëruar kështu kthimin e tij në ekip.
Mbetet për t’u parë aktivizimi ose jo i Manajt në duelin e radhës, por fakti që ai është kthyer në stërvitje dëshmon këmbëngulje, rikuperim të mirë dhe shpresohet edhe të luajë në duelet zyrtare. Kjo ringritje e Manajt mund të ngjasojë me “Gjergj Elez Alinë”, i cili edhe me “9 plagë” doli në dyluftim me “Bajlozin”, por në rastin e Manajt me kundërshtarët e Albasetes në Segunda Divizion.
Manaj projektohet nga Panuçi si një prej lojtarëve që do të grumbullohet në kuadër të eliminatoreve të Euro-2020, sepse ka shënuar 6 gola me Albaseten e tij në këtë edicion të ligës së dytë spanjolle