Adriatik Balla 03.07.2015 12:15
Një shqiptar në “orbitën” e Juventusit. Paralelisht me të tashmen, nënkampionët e Evropës planifikojnë edhe të ardhmen duke synuar të pasurojnë me talente organikën e skuadrës të të rinjve. Në këtë mënyrë, ata kanë futur në listën e objektivave të merkatos edhe të riun shqiptar, Rei Manaj, emri i të cilit është lakuar edhe në të shkuarën në mjediset e klubit torinez. Lajmi bëhet i ditur nga eksperti italian i merkatos, Xhanluka Di Marzio.
Aktualisht, Manaj është pjesë e skuadrës së Kremonezes në “Lega Pro. Disa javë më parë, interes për Manaj shfaqi edhe drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, ndërsa Interi zhvilloi një sondazh për 18-vjeçarin shqiptar. Me 23 ndeshje zyrtare dhe 2 gola të shënuar gjatë sezonit të shkuar, Manaj ka tërhequr vëmendjen e vëzhguesve të cilët kanë ndjekur disa ndeshje të tij në Kategorinë e Tretë. Ai ka lindur në qytetin e Lushnjës në vitin 1997 dhe u transferua në Itali te Sampdoria dy vjet më parë.
Manaj u bashkua me Kombëtaren shqiptare të Nën-19-vjeçarëve në vitin 2014 ndërsa aktualisht është pjesë e Shpresave. Manaj shihet si një talent i madh dhe mediat italiane kanë shkruar shpesh për të gjatë muajve të fundit, sepse djaloshi shqiptar ka rënë në sy gjatë aktiviteteve dhe ndeshjeve të ligës së tretë. Ai ka spikatur me golat e tij dhe veçanërisht për lojën e tij mjaft cilësore. Juventusi dëshiron ta blejë e ta ketë në pronësi, për ta huazuar ose shitur më pas për një shumë të madhe në klubet e tjerë.