AlbanianSport.com 05/01/2019 19:55
ASNN – Mbrëmjen e së premtes Rei Manaj pësoi një dëmtim të frikshëm në ndeshjen midis Granadës dhe Albasetes në ligën e dytë spanjolle. Sulmuesi i përfaqësueses s Shqipërisë tentoi të marrë një top me kokë, por mbi kokën e tij vërshoi gjithë forcë këmba e lojtarit kundërshtar, German. Ishte një goditje e papritur në fytyrë, e cila bëri që Manaj të binte në tokë pa ndjenja. Ishte një situatë e sikletshme dhe e frikshme, pasi futbollisti shqiptar u dërgua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua vizitave të shumta për traumat e marra në kokë.
Por, ka një lajm të mirë, pasi jo vetëm jeta që nuk rrezikohet, por lushnjari nuk ka pësuar dëmtime të rënda apo fraktura në pjesën delikate të kokës. Sipas mediave spanjolle, Manaj ia ka hedhur këtij dëmtimi horror me një … hundë të thyer. Nuk është e lehtë, por mund të shkonte më keq. Klubi i ka qëndruar pranë dhe ai u mbajt gjithë natën në spital, ndërsa të shtunën u dërgua në klinikën e klubit në terapi intensive. Vetë Manaj ka shkruar një mesazh në llogarinë e tij në rrjetin social “Instagram”, ku falënderon tifozët dhe klubin për mbështetjen.
Madje në spital ndër të parët që e vizitoi atë ishte vetë lojtari që e goditi, German. “Faleminderit për të gjithë tifozët e Albasetes dhe të gjithë përkrahësve të mi, meritoni dashurinë time. Shihemi të shtunën në shtëpinë tonë”, – shkruan Manaj, i cili lë të kuptuar që jo vetëm e ka kaluar rrezikun, por edhe mund të kthehet shpejt në fushën e lojës. Sidoqoftë, klubi i Albasetes nuk ka një qëndrim për kohën e kthimit të shqiptarit në fushën e lojës, ndonëse është deklaruar se ai ka nevojë për një maskë fytyre edhe kur të kthehet. Por, me siguri që Manaj nuk do të kthehet në fushë për disa ditë.