AlbanianSport.com 23/09/2021 23:10
ASNN – Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Endri Çekiçi ka bërë një paraqitje të shkëlqyer të enjten me skuadrën turke të Konjasporit, teksa ka gjetur rrugën e rrjetës dy herë. Mesfushori kuqezi ka qenë protagonist kryesor i ekipit, teksa shënoi dy gola spektakolarë dhe të vetmit për ekipin e tij.
Fillimisht, në minutën e 20-të të takimit, pas një harkimi nga shoku i skuadrës, Çekiçi kthehet bukur brenda zonës, duke e dërguar topin në fundin e rrjetës kundërshtare, pas një goditje fantastike që shtangu futbollistët e skuadrës mike. Me fillimin e pjesës së dytë, Çekiçi shënon edhe golin e dytë personal dhe për Konjasporin, duke i kaluar kështu në epërsi vendasit.
I ardhur nga mesfusha, mesfushori shqiptar ia del të marrë topin dhe ta kontrollojë mirë duke shmangur dy nga kundërshtarët dhe duke goditur me të majtën topin nga brenda zonës, që kalon duart e portierit të Trabzonsporit. Futbollisti kuqezi që u transferua në fillim të këtij sezoni në Turqi duket se ka gjetur komoditet në radhët e skuadrës së Koniasport, ku në gjashtë ndeshje të zhvilluara ka shënuar 3 gola.
Ky është një lajm i shkëlqyer edhe për skuadrën shqiptare, që në muajin tetor do të zhvillojë dy ndeshje të rëndësishme eliminatore ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.